Ne infermieret nuk duhet të tolerojmë gjithçka

Jemi dy infermiere që vitin e kaluar u aktivizuam në një fushatë kundër kushteve të padurueshme të punës në Spitex-in tonë.

Puna në sektorin e infermierisë, rruga për në shtëpinë e klientëve dhe kujdesi për ta është diçka që kërkon mund. Mund të them se të gjitha ne do të donim me gjithë zemër të gjendeshim pranë klientëve tanë. Por për këtë nevojiten kushte pune të përshtatshme. Tek ne, në Spitex, pati shumë probleme, veçanërisht pas bashkimit të disa komunave në një Spitex. Papritur patëm më shumë klientë për të cilët duhet të kujdeseshim, rrugët u zgjeruan dhe planifikimi i punës u komplikua edhe më shumë. Toni i komunikimit të bordit drejtues me personelin e infermierisë nuk ishte aspak me respekt. Mund të thuhet se: Bordi drejtues e ka kaluar gjithë barrën e këtij bashkimi në kurriz të punonjësve. Shumë nga ekipi i infermierëve nuk duruan dot më dhe kaluan në stërlodhje, disa të tjerë kërkuan një vend tjetër pune dhe dhanë dorëheqjen. Si pasojë, kjo solli ndryshime të konsiderueshme në ekip.

Por erdhi momenti që nuk mund të duronim më dhe bashkë me koleget bashkuam forcat. Kontaktuam Unian. Ishim rreth 14 gra që u aktivizuam, nga të cilat edhe disa ish punonjëse.

Të gjitha së bashku, me historinë tonë, dolëm publikisht dhe bëmë një peticion, për të ndryshuar më në fund kushtet e punës. Mbi 400 banorë/banore të komunës i mbështetën kërkesat tona duke nënshkruar peticionin. Shumë nga njerëzit që nënshkruan ishin të afërm të klientëve për të cilët kujdeseshim. Ishte diçka vërtet shumë e mirë të shihje se njerëzit e vlerësonin punën tonë të përditshme me familjarët e tyre.

Përpjekja jonë ishte e frytshme: Ia dolëm që stafi menaxhues i turneve të kompanisë tonë të respektonte më në fund periudhat e ligjshme të pushimit dhe që të kishte një model të ri të ndarjes së turneve. Edhe shpërndarja e barnave u rregullua përfundimisht në mënyrë të tillë që të ishte në përputhje me dispozitat ligjore. Për hir të së vërtetës, në bordin drejtues vazhdojnë të jenë të njëjtët krerë, të cilët nuk mund të konsiderohen ndër njerëzit më të përzemërt. Megjithatë ata e kanë të qartë që ne punonjëset nuk mund të tolerojmë gjithçka prej tyre dhe kjo ka rëndësi për ne...

Konkluzioni ynë: „Ne infermieret nuk duhet të tolerojmë gjithçka. Mund ta mbrojmë vetveten!“

Simone*

Marianne*