Këto janë historitë tona.

Shumë gra dhe puna që ato kryejnë janë të padukshme. Kjo gjë duhet të ndryshojë. Për këtë arsye shumë gra tregojnë këtu vështirësitë e të përditshmes së tyre në punë.

Historia e Cátia

Historia e Snezana D.

Një atmosferë frike

Një punonjëse pranë një kompanie industrie në Zyrih bën një përshkrim të vendit të saj të punës, ku mbizotërojnë frika dhe stresi.

Unë punoj prej 12 vitesh pranë një kompanie teknike mjekësore. Aty jam përgjegjëse për testimin final në sektorin e kontrollit të cilësisë. Konkretisht kjo do të thotë që unë kontrolloj çdo vidë, çdo sferë... Çdo gjë duhet të jetë perfekte. Nëse njëra nga pjesët është me defekt, atëherë është pacienti ai që do të ketë një problem me këtë në fund. Për këtë arsye dua që ta bëj mirë punën time, pasi shëndetin e pacientëve e kemi mjaft për zemër.

Gjithmonë jam përpjekur ta bëj mirë punën time. Dhe e kam bërë me dëshirë.

Shpejtësi para saktësisë

Por prej disa kohësh kemi një shef të ri. Fatkeqësisht ai nuk është shumë kompetent për fushën. Ai ka në dorë vendimmarrjen lidhur me disa procese që unë i kryej prej vitesh, por që ai nuk i kupton aspak. Ai nuk është i hapur që të përfitojë nga përvoja e punonjësve që kanë shumë vite përvoje pune; ai do thjesht të ketë vetë të drejtë, dhe madje gjithmonë. Gjithçka duhet “optimalizuar”, duhet të kryhet më shpejt – por nga shpejtësia ndodhin edhe gabime! Në punën tonë shpejtësia nuk është gjithçka, kërkohet edhe saktësi. Përndryshe në fund është pacienti ai që do ta vuajë këtë!

Solidariteti po shkatërrohet

Shefi nuk ka besim tek ne si punonjës për shkak se është i pasigurt në vetvete. Herë pas here lëshon kërcënime të sofistikuara, thërret në zyrën e vet individë të veçantë nga ne, në mënyrë që këta të fundit t`i raportojnë se çfarë flasin të tjerët për të. Ai ka kudo sy e veshë, gati-gati do të thosha spiunët e vet. Ndihemi të vëzhguar gjatë gjithë kohës. Nëse ti flet me një kolegen tënde të punës dhe shkëmben mendime rreth problemeve të tua në vendin e punës dhe ajo ta përforcon mendimin e të inkurajon të vazhdosh të flasësh për këtë, papritur bëhesh shumë mosbesues: Mos vallë ajo sillet kështu ngaqë shefi e do këtë gjë? Mos vallë ajo pas bisedës do shkojë t`ia tregoj atij të gjitha?

Prandaj më mirë preferojmë të heshtim. Të kap ndjesia e pafuqisë kur nuk mund të flasësh më me asnjë.

Në këtë mënyrë shefi na ka vënë kundër njëri-tjetrit duke shkatërruar plotësisht skuadrën dhe solidaritetin tonë me njëri-tjetrin. Ai po mbjell një atmosferë frike. Madje punonjësit kanë frikë edhe të sëmuren. Ata e dinë që po u sëmurën, do ju duhet të justifikohen.

Kolegë/e të ndryshëm i mundon shumë ky stil drejtimi, por gjatë takimeve asnjë nuk e merr guximin të thotë diçka. Ata kanë frikë për vendin e tyre të punës, sigurisht, gjithsecili ka arsyet e veta. Disave prej tyre ju duhet edhe shumë pak kohë për të dalë në pension, të tjerat janë nëna me fëmijë dhe pa bashkëshort...

Ky stres, ky presion më ngarkoi pa masë. E merrja me vete edhe kur kthehesha në shtëpi. Kur bija në shtrat në mbrëmje pyesja veten: “A e bëra siç duhet këtë? A u kujtova edhe për...?” Nuk ndihesha mirë dhe ndonjëherë mendoja: “Po vë në lojë shëndetin tim për atë të klientëve.”

Prapëseprapë kisha dëshirë ta vazhdoja punën. Prandaj u gëzova kur gjeta rastin në një bisedë mes stafit dhe shefit të thosha, se sa të rëndësishëm jemi ne të kontrollit të cilësisë dhe sa shumë nevojiteshim ne të gjithë.

Shokimi

Ajo që ndodhi me tej ishte një shok i vërtetë për mua: Si nga hiçmosgjëja para disa javësh shefi me anë të një telefonate më dërgoi nga vendi im i punës tek një zyrë në ndërtesën tjetër. Nuk kisha qenë kurrë më parë atje dhe nuk ia kisha idenë se çfarë më priste. Papritur shefja e personelit hyri në zyrë. Kisha një ndjesi negative. Ajo më tha që unë sillja rezultate shumë të mira në punë. Por që fatkeqësisht atyre u duhej të ndërmerrnin një ristrukturim. Dhe për këtë arsye po më pushonin nga puna.

U shokova. Ky pushim nga puna ishte krejt i papritur dhe i paargumentuar për mua. Pak më përpara sapo më kishin thënë se sa shumë nevojë kishin për ne të gjithë! Dhe më pas kjo...

Ajo që më vret më shumë: Fakti që duan të më heqin qafe kaq thjesht, edhe pse kam punuar për 12 vjet me radhë në kompani dhe e kam kryer gjithmonë mirë dhe me dëshirë punën time. Kam përshtypjen se shefi i ri, nuk më ka njohur dhe parë asnjëherë siç duhet, se çfarë performance kam pasur. Kjo mungesë e vlerësimit është mungesë respekti. Dhe të vret.

Historia e Neria

Profesionet e përkujdesjes – nga praktika deri në fundin e hidhur

Një raportim nga përvoja, i cili simbolizon për nga simptomat një problem tërësor në fushën e profesioneve të përkujdesjes.

Në moshën 15-vjeçare vendosa të kryej një formim profesional si kujdestare në fushën e personave me aftësi të kufizuara. Perspektiva dhe shpresa për të punuar me njerëzit dhe për tu përfshirë në fushën e përkujdesjes sociale më mbushnin me gëzim e ishin kuptimplotë.

Praktika e kërkuar

Vështirësia e parë për gjetjen e një vendi praktike ishte që për shumë praktika kërkohej mosha minimale prej 18 vitesh. Unë kisha fat dhe gjeta një vend praktike në një Institucion IV (për sjelljen integruese) bashkë me tre praktikantë/e të tjerë. Por ky institucion ofronte vetëm dy vende për kryerjen e formimit profesional. Në të vërtetë, historia e një praktikanteje, e cila kishte bërë për tre vite me radhë praktikë përpara se të gjente një vend ku të kryente shkollimin profesional më shqetësoi. Megjithatë fillova praktikën me gëzim dhe u dashurova me punën. Nga e hëna deri të premten dhe pjesërisht edhe në fundjavë përkujdesesha dhe kisha nën kujdestari persona më të moshuar me probleme mendore si dhe dëmtime të tjera. Puna shumë sforcuese si në rrafshin emocional ashtu edhe atë fizik po vështirësohej edhe më tepër për shkak të mungesës së personelit, konflikteve të brendshme në skuadër si dhe rasteve të vdekjes së klientëve, që vdiqën gjatë turnit tim. Gjatë këtyre përvojave të vështira, nuk gjeta mbështetje të mjaftueshme.

“Si një zonjë e mirë shtëpie, duhet të jesh në gjendje ta përballosh këtë”

Shumë shpejt mu transmetua, që duhet të mësoja, nëse isha bërë ose jo për këtë punë. Nëse po, atëherë do të mundja t`ia dilja me gjithçka, përndryshe nuk do të mund ta mësoja dot. Parakushtin themelor të presupozuar e përmbushja tashmë; isha një zonjë. Si rrjedhojë ti je në gjendje të pastrosh, të përkujdesesh e mbash dikë dhe të gjitha këto mund t`i bësh me durim e dashuri. Natyrisht, pa e pasur mësuar asnjëherë diçka të tillë. Kjo më shkaktoi pasiguri. Për shkak se puna më përmbushte, mendova se çdo gjë do kalonte. Pas praktikës e fitova edhe të drejtën për ta kryer formimin tim profesional në të njëjtin institucion. Kandidateve të tjera femra u duhej në disa raste të kryenin disa praktika rresht para se të fitonin të drejtën për një formim profesional trevjeçar, ndërkohë që kandidatët meshkuj futeshin pjesërisht nëpërmjet shërbimit civil dhe merrnin oferta të përshtatshme formimi profesional, si psh mësimdhënie dyvjeçare dhe pedagogji sociale me pagesa më të larta. U gëzova pa masë për mundësinë që fitova dhe nuk kisha sy për të parë padrejtësitë, e jo më për t`i tematizuar ato.

Formimi im profesional – një zhgënjim

Formimi profesional solli me vete dy ndryshime të mëdha: Punë me turne dhe më tepër punë gjatë fundjavave si dhe hyra në një klasë me njëzetë persona me drejtim specialistë kujdestarie nga të cilët 19 ishin femra. Doli se përvoja ime deri atëherë nuk përbënte një rast përjashtimor. Axhenda shërbimi, në të cilat javët 7-ditore ishin normale, javët 9-ditore nuk përbënin përjashtim dhe madje të mundshme ishin edhe javët 15-ditore. Çfarëdolloj shenje dobësie, mbingarkese, sëmundjeje apo diçka tjetër e ngjashme merrte kundërpërgjigje dhe më transmetohej që e kisha ditur që më përpara se çfarë rrugeje i isha futur. Ndjehesha e dobët dhe e paaftë. Shoqëruesja ime e praktikës u largua nga puna për shkak të një djegieje, por edhe kjo u justifikua me paaftësinë e vetë asaj. Çdo problem ishte një problem individual, një gabim i Unit dhe kurrë nuk ishte një gabim i sistemit.

Pasiguri e përhershme

Atmosfera në punë karakterizohej nga frika, pasiguria, mbingarkesa dhe mosbesimi. Kjo shkaktonte konflikte që nuk kufizoheshin absolutisht vetëm te skuadra ose kompania jonë. Lidhur me këto problematika raportonin edhe shoqet e mia në klasën tonë që tashmë përbëhej plotësisht nga vajzat. Problemet diskutoheshin përherë në nivel individual dhe kurrë në mënyrë të strukturuar. Ky lloj qëndrimi që jetohej dhe që mu transmetua edhe mua kishte efektet e veta mbi strukturën, stafin dhe fatkeqësisht edhe te klientët. Kjo gjë më lëndonte dhe më lëndon edhe sot. Sforcimet fizike dhe emocionale sillnin si pasojë shumë sëmundje në skuadër, por qëndrimi në shtëpi kërkonte që puna t`i delegohej dikujt tjetër dhe në këtë mënyrë rritej ngarkesa për të tjerët. Në këtë mënyrë u krijua një rreth vicioz, që nuk po mund të ndërpritej dot.

“Problemi” - gruaja në fushën e përkujdesjes

Problemet në fushën e përkujdesjes janë të shumëllojshme dhe pjesërisht lidhen me gjininë. Nëse nuk e njohim e pranojmë këtë, nuk kemi për të bërë më asnjë hap më tej. Në rast se gaboja apo nuk dija diçka, vihej në pikëpyetje aftësia ime potenciale si nënë apo si grua shtëpiake. Isha midis moshës 16 dhe 22 vjeç, nuk e dija ende as nëse dëshiroja të bëhesha nënë dhe as nuk kisha qenë ndonjëherë “zonjë shtëpie”. Mu sugjerua që kisha dështuar në rolin tim gjinor. Një përvojë kjo, që kolegët e mi të punës meshkuj nuk ishin të detyruar ta përjetonin në këtë formë.

Unë jam një person i vetëdijshëm dhe mund të ndodh që të tërbohem. Nuk u tërbova, u ndjeva e pasigurt dhe e irrituar, fillova të vija në pikëpyetje vetë veten time. Kurrë nuk e kisha menduar që mund të mbrohesha kundër kësaj situate. Nëse problemi konsiston te femëria ime e munguar, atëherë problemi mund të jetë veç vetvetja ime. Mu deshën vite të shkëputesha nga ky imazh. Ne nuk duhet në asnjë mënyrë që brezit të ardhshëm të vajzave të reja t`i transmetojmë të njëjtat imazhe, përkundrazi, duhet t`i luftojmë këto imazhe.

Unë personalisht e gjeta një rrugëdalje dhe vendosa ta lë fushën e kujdestarisë ndaj personave në nevojë. Kur shkëmbej mendime sot e kësaj dite me ish nxënëset e atëhershme, shoh se ende janë prezent të njëjtat prirje dhe shfaqen pothuaj kudo në një formë, fakt që më bind edhe sot për vendimin që mora.